Kompleksi i objekteve në teqenë Harabati Baba të
Tetovës është një raritet i vërtetë kulturo-historik në
gjithë territorin e Ballkanit. Ky kompleks pas Luftës së
Dytë Botërore, deri në shkatërrimin e regjimit komunist,
nuk e ka kryer funksionin e vërtetë, ngase pronarët e tij
janë përjashtuar nga ambientet e këtushme, duke e lënë
atë në dispozicion të punëtorëve hotelierë e turistikë, si
dhe të Muzeut.

Shpërthimi i luftës në këtë rajon, në mars të vitit të
kaluar, si dhe depërtimi i ushtarëve të UÇK-së edhe në
ambientet e këtij kompleksi të rrallë objektesh orientale,
bëri që një kërkesë e kahmotshme ligjore e Bashkësisë
Bektashiane, e cila ka selinë e saj vetëm në një pjesë të
këtij kompleksi, të jetësohet pa formalitete zyrtare.
Veprimet luftarake bënë që pronarët e përkohshëm dhe
uzurpues të paligjshëm të këtij kompleksi të largohen,
kurse tërë objekti t' i mbetet në shfrytëzim kësaj
bashkësie fetare.
Plani i përgjithshëm për kthimin e policisë në vendbanimet shqiptare vuri në fazën
e parë realizimin e depërtimit të policisë, kurse me të edhe të përfaqësuesve të
ish-shfrytëzuesve të objekteve në këtë kompleks, sektorin e hotelierisë së
"Teteksit" dhe Muzeun e Tetovës, por një shestim i këtillë nuk gjeti zbatim në saje
të kundërshtimit të BL-së së Teqesë, në lokacionin e së cilës gjendet ky kompleks,
për shkak të kushtëzimeve që i parashtroi popullata e kësaj lagjeje, pos të tjerash
edhe për denacionalizimin e kësaj qendre dhe kthimin e saj në pronësi të vërtetë.
Për momentin, janë dy institucione-Bashkësia Bektashiane në Tetovë dhe BL-ja e
Teqesë, që qëndrojnë fuqishëm në qëndrimin që të mos lejohet hyrja e policisë në
këtë kompleks objektesh dhe në këtë tempull fetar, kurse në këtë rrafsh ekziston
edhe mbështetja e faktorit politik shqiptar, por ajo qëndron pak më anash,
ndonëse ka sinjale për një mbështetje të plotë, sikundër edhe të mbarë popullit
shqiptar.

Pa denacionalizim s' ka hyrje në kompleksin e Teqesë
Në një vendim të Këshillit të BL të Teqesë dhe atij të Bashkësisë Bektashiane në
Tetovë, dërguar OSBE-së, TFF-së dhe Monitoringut Evropian, që mban datën e
21 janarit të këtij viti, thuhet se nuk lejohet realizimi i kërkesës për regjistrimin e
dëmeve në këtë kompleks dhe të rivendosjes së shërbimeve hoteliere të
"Teteksit" në të. Konsiderohet se kërkesa e SH. A. "Teteks" është e
parealizueshme, sepse llogaritet si uzurpatore e pronës së kompleksit të teqesë
Harabati Baba, që është pronë e Bashkësisë Bektashiane në Tetovë dhe e BL të
Teqesë, kurse për këtë ekziston lëndë shoqëruese në Drejtorinë për
denacionalizim të pasurive të patundshme pranë ministrisë rajonale.

Për këtë arsye, nuk lejohet hyrja e policisë dhe inspektimi i objekteve për
verifikim të dëmeve në këtë kompleks objektesh të Teqesë. Ky vendim vlen deri
në zgjidhjen e statusit pronësor dhe marrjen e vendimit nga Gjykata republikane
për pronësinë e kompleksit.

Vlerësimet e dëmeve të shkaktuara nga lufta do të bëhen kur të qetësohet situata,
thotë hirësia e tij, Baba Tahir Emini. Presim një vlerësim të përgjithshëm të
shkatërrimeve, sidomos në objektet me arkitekturë të vjetër, që duhet ta ruajnë
pamjen e dikurshme. Pronarët e përkohshëm, të cilët kanë shfrytëzuar disa
objekte, si ato të sektorit të hotelierisë dhe turizmit të kombinati "Teteks"dhe të
Muzeut të Tetovës,  kërkojnë t' i rikthejnë pjesët e objekteve që i kanë pasur në
dispozicion.

Në këtë rrafsh, shton ai, që të vejnë punët mbarë kemi një mbështetje të fuqishme
dhe bashkëpunim me BL-në e Teqesë, që përfshin një lagje bukur të madhe prej
15 mijë banorësh, por kemi edhe përkrahjen e faktorit ushtarak shqiptar, që ka
qenë i pranishëm në këto ambiente, si dhe mbi të gjitha kemi edhe kërkesën e
patjetërsueshme që ky tempull t'i kthehet pronarit të dikurshëm.

Që tetë vjet e këndej jemi të vendosur si seli e Bashkësisë Bektashiane vetëm në
një pjesë të kompleksit të teqesë Harabati Baba, ankohet Baba Tahiri, sepse
objektet e tjera i kishte uzurpuar për aktivitetet e veta Muzeu i Tetovës, si dhe
sektori hotelier i kombinatit të "Teteksit". Me ngjarjet e fundit, sidomos me hyrjen
e UÇK-së në këtë kompleks, ky synim yni u përmbush duke i nxjerrë uzurpatorët
jashtë këtij objekti, të cilët kurrë nuk ishin pronarë të tij. Një vit e më parë kemi
ndërmarrë disa aktivitete, edhe me dëshmi verbale, por edhe të dokumentuar e të
argumentuar, që të fitohet e drejta e pronësisë para komisionit që bën
denacionalizimin e pronave pranë Ministrisë së Financave në Shkup, mirëpo
mjerisht ende nuk kemi përgjigje.

Në anën tjetër, konstaton ai, gjithnjë e më shumë jemi dëshmitarë të akteve të
dorëzimit të pronave të denacionalizuara, por si duket këto ndodhin vetëm në
Maqedoninë lindore e assesi edhe në Tetovë. Dokumentet dhe kërkesa e
Bashkësisë Bektashiane mbase është mbyllur në sirtar, për të mos dalë në
shqyrtim. Tërë dokumentacioni evidentohet si pronë e vakëfit të Teqesë, siç ka
qenë me shekuj dhe në të nuk janë bërë kurrfarë ndryshimesh.

Përfaqësuesit e huaj respektojnë tempujt
Lidhur me këtë problematikë, vë në dukje Baba Tahiri, kemi pasur kontakte të
vazhdueshme edhe me përfaqësues të huaj, të cilët kanë qenë dhe janë të
pranishëm këtu në një mision të ndërmjetësimit dhe të zgjidhjes së problemeve
dhe deri më tash nuk kemi pasur kurrfarë presionesh prej tyre për cilindo veprim
që kemi ndërmarrë. Faktorët e jashtëm kanë një nivel civilizues të sjelljes dhe
gjërat i kuptojnë shumë më mirë se ne, madje edhe i respektojnë vlerat e
trashëgimisë dhe objektet me rëndësi kulturo-historike edhe më mirë se ne. Ata
respektojnë këtë tempull të shenjtë, ku është vendosur selia e Bashkësisë
Bektashiane, njësoj sikur që i respektojnë tempujt e tyre.

Meqë afirmohet qëndrimi që të respektohen të drejtat e të gjitha konfesioneve në
Maqedoni për të administruar me tempujt e vet dhe me pronën që u takon, këtë
gjë po e kërkojmë edhe ne. Mendojmë se gjatë regjimit komunist pushteti deri
diku ka qenë më tolerant ndaj përfaqësive të tjera fetare në Maqedoni, gjë që nuk
ka ndodhur edhe me komunitetin bektashian dhe ne këtë punë nuk po e
kuptojmë, andaj na mbetet që në të ardhmen këto veprime t' i analizojmë dhe t' i
gjurmojmë shkaqet për sjellje të tilla të jotolerancës ndaj bektashinjve.

Përpjekjet e Bashkësisë Bektashiane për t' u rikthyer në këtë tempull fetar kanë
filluar nga viti 1992, me fillimin e demokratizimit të vendit dhe braktisjes së
sistemit komunist në këtë pjesë të Ballkanit. Në këtë periudhë, kjo bashkësi fetare
ka qenë më aktive, duke orientuar organizimin e vet në ngritje institucionale,
kështu që arrihet që të regjistrohet në organin përkatës si një komunitet real
bektashian në Maqedoni, në ç' mënyrë kjo bashkësi fetare fitoi të gjitha të drejtat
juridike për funksionim të papenguar dhe për t'i dalë zot kompleksit dhe pasurisë
së tundshme e të patundshme të teqesë Harabati Baba në Tetovë, përfundon
Baba Tahir Emini.


Legjenda për themelimin e Teqesë së Tetovës
Fillimet e ndërtimit të Teqesë në Tetovë janë në shekullin e 15-të, që do të thotë
se përfshin kohën e Sulltan Sulejman Halimit. Pranë këtij sulltani ka jetuar edhe i
madhërishmi Selver Ali Pasha, shqiptar nga Tetova, i cili ka pasur edhe epitetet e
një teologu, poeti, muzicienti etj. Pas kryerjes së shkollave të asaj kohe dhe pajisjes
me një kulturë dhe dijeni shumë të gjerë, i përkushtohet misticizmës islame dhe
inkuadrohet në institucionin bektashian të asaj kohe. Para se të kyçet në këtë
institucion, nga Sulltan Sulejmani emërohet për vezir të tij dhe për disa vjet ka
qenë në shërbim politik, si person i dytë në hierarkinë mbretërore.

Selver Ali Pashai një ditë i drejtohet Sulltanit për të kërkuar dorëheqje nga posti
politik, për të cilën gjë perandori osman dukshëm i habitur nga ky gjest i vezirit të
tij, thotë: "Ç' ndodh me ty, a je  në rregull ?"
"Jo, nuk ka ndodhur asgjë, krejt është në rregull", përgjigjet Pashai nga Tetova,
"por vetëm dua të hiqem nga udhëheqja politike, pasi që nuk më joshin fort këto
poste, sepse janë të përkohshme, ndërsa unë do të kyçem në një veprimtari ku
tërë jetën do të jem një sulltan i vërtetë hyjnor", shton ai.

Kështu edhe kishte ndodhur: Sulltani ia kishte nënshkruar dorëheqjen, kurse
pashai tetovar kishte shkuar në Haxhibektash për të ushtruar veprimtarinë e tij
fetaro-mistike në institucionin e atëhershëm bektashian që ndodhej në qytezën
Haxhibektash të Turqisë.

Meqë ky personalitet i lartë ishte me prejardhje nga Tetova, pas shërbimit të tij
disavjeçar në hierarkinë bektashiane botërore, ka vendosur që në vendlindjen e
tij, atëherë të njohur si Kallkandele, të ndërtojë një kompleks bektashian. Derisa
ishte gjallë,  kishte ndërtuar disa godina të kësaj teqeje, kurse amanet kishte lënë
një dokument ku kërkonte prej të tjerëve ta vazhdojnë punën e tij në përfundimin
e ndërtimeve të këtij kompleksi.
Kështu, në shekullin e 17-të ky dokument arrin deri te kryegjyshi i atëhershëm
botëror, i cili atë ia dorëzon një dervishi, të quajtur Mehmet Harabati Baba, nga
Mallatija e Turqisë, duke e angazhuar me detyrë që të vijë në Tetovë për të
vazhduar ndërtimin e objekteve të tjera të këtij kompleksi. Dervishi i quajtur
Harabati Baba, në bashkëpunim me Rexhep Pashën e Tetovës, me prejardhje
shaljane, i cili pranon të zbatojë amanetin e Sersem Ali Dedesë për të përfunduar
punimet në ngritjen edhe të objekteve të tjera në Teqenë, që pastaj do të quhet
Harabati Baba. Që atëherë e këndej, në këtë kompleks është selia e shenjtë
bektashiane për Maqedoninë, Kosovën, Bullgarinë dhe Greqinë.

Kjo teqe ka qenë një ndër më të përmendurat jo vetëm në Ballkan, por edhe në
botë. Si për nga veprimtaria, ashtu edhe nga administrimi i mirë i klerikëve që
shërbenin në të, u ngrit në një qendër të madhe, sidomos në shekullin e 18-të, kur
kemi edhe lulëzimin e bektashizmës. Bëhet një qendër e jashtëzakonshme jo
vetëm për besimin bektashian, por edhe për kulturën, edukimin dhe arsimimin e
popullatës, që kishte vazhduar deri në vendosjen e regjimit komunist.

Deri në vitin 1946, në këtë teqe shërbente Baba Qazimi, një bakall nga Gjakova e
Kosovës, me pesë dervishë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria. Mjerisht, më 1946
shteti komunist futi duart në këtë kompleks dhe dëboi klerikët prej tempullit të
tyre të shenjtë, uzurpoi të gjitha tokat dhe pasurinë, plaçkiti enterierin klasik dhe
të ruajtur shekuj me radhë, konfiskoi një bibliotekë shumë të pasur, për të cilat
nuk ka informata se ku mund të ndodhet.

Ndonëse veprimtaria në këtë kompleks ndërpritet nga regjimi i atëhershëm, puna
jashtë vazhdoi, sidomos në Gjakovë. Pushteti komunist nuk dha kurrfarë llogarie
për plaçkitjet e trashëgimisë në këtë kompleks dhe tempull bektashian, duke mos
lënë ndonjë dokument për të dëshmuar këtë. Kjo do të thotë se sot nuk disponohet
me ndonjë akt të nacionalizimit të këtij kompleksi objektesh fetare. Edhe sektori
për hotelieri e turizëm i kombinatit "Teteks" nuk ka asnjë dokument për pronësi
në këtë kompleks, sepse ishte futur vetëm me lejen e kryetarit të atëhershëm të
Komunës, kur bëhen edhe disa adaptime për qëllime hoteliere e turistike.


Bektashinjtë e kërkojnë Teqenë e Tetovës
Artan ARSLLANI
Lobi
11.02.2002
Numri 52