Islami u përhap në tokat shqiptare jo vetëm në variantin e  vetkryesor, sunit, por edhe
në formën e sekteve (tarikateve) të ndryshme, siç ishin bektashizmi, halvetizmi,
rufaizmi etj. Dëshmi të pranisë së këtyre sekteve mistike në territorin shqiptar janë
teqetë e ndërtuara në një numër vendbanimesh. Midis sekteve islamike në fjalë,
bektashizmi fitoi një popullaritet dhe shtrirje të konsiderueshme në viset shqiptare.
Bektashinjtë u shfaqën së pari në formën e një urdhri dervishësh
në pjesën aziatike të Perandorisë Osmane (Anadoll). Themelues
dhe mbrojtës i këtij urdhri mistik ishte
Haxhi Bektashi, i lindur
në Iran më 1249 dhe i vendosur në Turqi më 1284.  Themeluesit
e bektashizmit që në fillim dolën kundër rreptësisë doktrinare
dhe dogmatizmit, duke shpallur dashurinë për të gjithë,
vëllazërinë dhe bashkimin. Ndryshe nga tradita islamike,
bektashinjtë e zhvilluan letërsinë e vet fetare kryesisht në gjuhën
osmane dhe jo arabisht dhe persisht.

Një nga misionarët kryesorë të Haxhi Bektashit, i cili u bë i
famshëm për predikimin e urdhrit bektashian në hapësirat
ballkanike, ka qenë Sari Salltëku, për të cilin qarkullojnë mjaft
tregime dhe legjenda. Sari Salltëku, i cili u shndërrua në një nga
personalitetet më të shquara të bektashizmit, në fillim të shek.
XIV u dërgua nga Haxhi Bektashi në Ballkan e në Shqipëri dhe i
maskuar me veladonin e një murgu të krishterë, me durim e
maturi të veçantë, punoi për të mbjellë farën e besimit
bektashian. Shkupi, Ohri, Kruja dhe Janina ishin disa nga qytetet
kryesore, ku ndaloi Sari Salltëku për të përmbushur misionin e
lartpërmendur. Shenjtori bektashian ndihmohej në punën e vet
nga një numër dervishësh, të cilët i përhapnin parimet
bektashiane duke u paraqitur publikisht në emër të profetit Jezu
Krisht dhe jo të Haxhi Bektashit. Madje Sari Salltëku dhe
bashkëpunëtorët e vet themeluan në Korfuz edhe një “institut
ortodoks”, i cili në të vërtetë u përdor për të përhapur në popull
idetë e lirisë, dashurisë dhe të disiplinës bektashiane.
Që prej kohës së themelimit sekti (tarikati) bektashian erdhi duke u plotësuar nga
pikëpamja ideore dhe organizative, derisa në fundin e shek. XV
Balim Sulltani do t’i jepte
trajtën përfundimtare këtij urdhri.

Bektashizmi që në fillimet e veta u paraqit si një sekt islamik liberal, duke qenë i afërt në
shumë aspekte edhe me krishterimin. Tri ishin elementet kryesore mbi të cilat
mbështetej besimi bektashian: e vërteta (
hakikati), dituria (marifeti) dhe ligji (sheriati).
Këta tre elementë konsiderohen si shtylla të këtij besimi dhe si parimet udhëheqëse të
veprimtarisë së njeriut. Në këtë mënyrë porositej që ndjekësit e këtij urdhri të ishin të
drejtë dhe të sinqertë kudo dhe kurdo, të luftonin për të qenë sa më të ditur dhe të
zbatonin ligjet e vendit ku jetonin.

Ndryshe nga besimtarët sunitë, bektashinjtë nuk e kishin të ndaluar përdorimin e pijeve
alkoolike dhe nuk e pranonin mbulesën e fytyrës së grave kur dilnin në publik.
Bektashizmi respektonte ekzistencën dhe zhvillimin e lirë të kombeve dhe të besimeve të
ndryshme fetare. Parajsa (
xheneti) dhe ferri (xhehenemi) për bektashinjtë s’ishin gjë
tjetër veçse prehja e shpirtit kur njeriu bën mirë dhe vuajtja e tij kur njeriu bën keq në
jetë. Falja gjithashtu pakësohej nga pesë herë vetëm në dy herë në ditë, ndërsa agjërimi,
nga një muaj në dhjetë ditë, duke ndërprerë vetëm të pirët e ujit.

Natyra liberale dhe eklektike e bektashizmit e bëri këtë sekt mjaft të pranueshëm e
tërheqës për mjedisin ballkanik e veçanërisht për atë shqiptar, ku feja e krishterë
bashkëjetonte me elementë të fuqishëm të trashëgimisë pagane të periudhës
parakristiane. Në këtë mënyrë, përhapja e bektashizmit në tokat shqiptare u bë një nga
aspektet kryesore të procesit të islamizimit të popullsisë, duke e shoqëruar këtë proces
që nga fillimet e tij. Edhe pse, siç u theksua më sipër, tradita bektashiane duhet të ketë
qenë e hershme në Shqipëri (fundi i shek. XIV-fillimi i shek. XV), burimet historike të
njohura deri më tani i regjistrojnë gjurmët e saj që nga gjysma e dytë e shek. XVII. Sipas
të dhënave të përftuara nga udhëpërshkrimi i gjeografit osman Evlija Çelebiu, në disa
qytete shqiptare të kësaj kohe ekzistonin vende të shenjta dervishësh, si teqe, tyrbe etj.
Me terma më konkretë përmendet teqeja e Haxhi Bektash Veliut në Kaninë të Vlorës e
ndërtuar nga Sinan Pasha si vepër bamirësie. Në qytetin e Vlorës gjithashtu ekzistonte
një teqe bektashiane me emrin e Baba Sulltanit (e njohur ndryshe me emrin Kuz Baba).
Prania e bektashizmit dëshmohet në këtë kohë edhe në qytetin e Gjirokastrës, kur thuhet
se shumica e popullsisë së këtij qyteti ulej dhe ngrihej duke thirrur për Aliun (është fjala
për dhëndrin e profetit Muhamed, imam Aliun, për të cilin bektashinjtë kishin adhurim të
veçantë); festonin krahas dy Bajrameve si ditë të shenjta, Shën Gjergjin, Nevruzin, Shën
Mitrin, Sari Salltëkun, dhe në këto festa pinin verë të kuqe dhe raki. Edhe në vendbanime
të tjera shqiptare, si në Pogradec, Mitrovicë, Kaçanik etj., sipas burimit të mësipërm,
ekzistonin teqe bektashiane, çka flet për shtrirjen relativisht të gjerë të këtij sekti islamik
deri në vitet 60-70 të shek. XVII.

Një nga qendrat e spikatura të bektashizmit shqiptar ishte bërë qyteti i Krujës, ku disa
dëshmi interesante, siç janë gurët e varreve me simbole bektashiane që datojnë
përkatësisht në vitet 1717 e 1728, flasin qartë për praninë e këtij urdhri në qytet të
paktën që nga dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVII. Lidhjet e ngushta të Krujës me
bektashizmin duken qartë edhe në faktin se, krahas disa
teqeve e zavijeve (teqe të vogla)
bektashiane, në rrethinën e qytetit ka ekzistuar në Kreshtën e Malit edhe vendi i shenjtë
me emrin e Sari Salltëkut, qendër e njohur pelegrinazhi jo vetëm për besimtarët e këtij
sekti, por edhe për njerëz të besimeve të tjera.

Ritmet e përhapjes së bektashizmit në radhët e popullit shqiptar u shpejtuan gjatë
gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe fillimeve të shek. XIX, kohë kur urdhri i mësipërm
fitoi mbështetjen e Ali pashë Tepelenës, sundimtarit të Pashallëkut të Janinës. Duke qenë
kundërshtar i pushtetit qendror osman, në mënyrë të vetvetishme pashai tepelenas u
afrua me korpusin e jeniçerëve, në këtë kohë opozitar i pushtetit sulltanor. Me këtë
shpjegohen prirjet e tij adhuruese ndaj sektit bektashian, i cili ishte fe sunduese në radhët
e jeniçerëve. Madje, thuhet se vetë Ali Pasha përqafoi bektashizmin dhe bëri çmos për
fuqizimin e këtij urdhri në Shqipëri. Sundimtari i Janinës u lidh ngushtë edhe me një nga
misionarët e bektashizmit në Shqipëri, Sheh Memiun (Sheh Mimi), veprimtaria e të cilit
ishte veçanërisht e spikatur në Krujë dhe në rrethin e saj, ku u ndërtua në vitin 1802 edhe
një teqe me emrin e tij.

Kryeqendra e pashallëkut, Janina, ishte kthyer në vendqëndrim për mjaft dervishë e
misionarë të ndryshëm të urdhrit bektashian, të cilët vinin nga Stambolli apo qendra të
tjera të Perandorisë Osmane, të larguar prej andej për arsye të ndryshme. Brenda
territorit të pashallëkut dervishët bektashianë gjenin kushte të përshtatshme dhe trajtim
të privilegjuar nga ana e Ali Pashës. Atyre u viheshin në dispozicion shuma të hollash dhe
ndërtesa për banim, ndërsa në mjaft raste edhe prona të konsiderueshme. Kështu, Sheh
Bursaliu i ardhur nga Anadolli, shef i një teqeje në Prevezë, gëzonte një benefic vjetor
prej 20 000 frangash dhe një shtëpi të kushtueshme, kurse një tjetër dervish me
prejardhje nga Maroku, Seid Ahmet Efendiu (misionar diplomatik i Ali Pashës), u pajis
me prona tokësore të konsiderueshme me të ardhura prej më se 20 000 frangash, duke u
emëruar njëkohësisht edhe si sheh i një teqeje pranë qytetit të Pargës.

Një tjetër dinjitar i urdhrit bektashian në Pashallëkun e Janinës, Sheh Ahmeti nga Siria,
shef i një teqeje në hyrje të qytetit të mësipërm, zotëronte gjithashtu sipërfaqe të gjera
tokësore me të ardhura të lakmueshme.

Pas likuidimit të korpusit të jeniçerëve nga sulltan Mahmuti II më 15 qershor 1826, në
Stamboll dhe në qendra të tjera të Perandorisë Osmane, shpërtheu një stuhi e fortë
dhune e represioni kundër urdhrit bektashian. Në kryeqytetin e perandorisë u
shkatërruan mjaft teqe të këtij urdhri, u arrestuan, u burgosën, u ezekutuan ose u dëbuan
baballarë, dervishë, si dhe u konfiskuan libra të shumtë. Mirëpo nuk kaloi shumë kohë
dhe urdhri bektashian filloi ta rimarrë veten me shpejtësi. Nga ana tjetër, furtuna
kundërbektashiane e sulltan Mahmutit II në viset shqiptare kaloi pa pasoja të rënda,
duke mos përjashtuar këtu ndonjë ndikim negativ që ushtroi në këtë drejtim rivaliteti
midis Ali pashë Tepelenës si mbrojtës i bektashizmit dhe Bushatllinjve të Shkodrës si
mbrojtës të islamit sunit dhe kundërshtarë të bektashizmit.

Pas bektashizmit, halvetizmi ishte sekti (
tarikati) kryesor islamik që depërtoi në viset
shqiptare. Emri i këtij sekti lidhet me themeluesin e tij Omer el Halveti nga Tabrizi i
Iranit (shek. XIV). Rëndësi të veçantë në historinë e këtij sekti ka figura e Sejid Jahja
Shirvaniut (mesi i shek. XV) nga Bakuja, i cili njihet si themelues i vërtetë i tij. Praktika
fetare e sektit halveti konsiston në tërheqjen e besimtarit në një dhomë të veçuar për të
kryer ritin e “zikrit”, rit i cili lidhet me përmendjen e Zotit me zë të lartë nën emra të
ndryshëm të gjetur posaçërisht për një gjë të tillë.

Shehlerët dhe dervishët halvetinj në të shumtën e kohës, kanë qenë aleatë të pushtetit
politik osman në ruajtjen dhe konsolidimin e islamit sunit në vendet e sunduara dhe në
luftërat e tij kundër fuqive të krishtera.

Fillesat e përhapjes së halvetizmit në tokat shqiptare i takojnë fundit të shek. XIV dhe
gjysmës së parë të shek. XV. Megjithatë, depërtimi i këtij sekti në mesin e popullit
shqiptar bëhet më i dukshëm duke filluar nga gjysma e parë e shek. XVI. Vendpërhapja e
tij fillestare u bënë krahinat e Shqipërisë Jugore. Qendrat kryesore ku u vendosën
misionarët halvetinj qenë Delvina dhe Vlora. Nxitësi kryesor i këtij procesi ishte Jakup
Efendiu, një nga shehlerët e dëgjuar të këtij sekti në këtë kohë, ndërsa qendër e
rrezatimit halvetian për krahinat e lartpërmendura ishte qyteti i Janinës, ku, që në vitin
1390 ishte themeluar një teqe e këtij sekti nga Gazi Evrenoz beu me autorizimin e sulltan
Bajazitit I.

Duke u nisur nga fakti se në Berat, Korçë, Elbasan dhe në Vlorë në fund të shek. XV dhe
fillim të shek. XVI dëshmohet të jenë themeluar teqe halvetiane, do të pranohet se
përhapja gjeografike e këtij sekti ishte zgjeruar jo pak. Evolucioni i këtij procesi
shpejtohet edhe më shumë gjatë shek. XVIII, shekull gjatë të cilit tarikati halvetian shton
praninë e vet edhe në Kosovë dhe në trevat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. Kjo
shihet në rrjetin e teqeve halvetiane që themelohen gjatë kësaj kohe në këto treva.
Kështu, Prizreni, Gjakova, Rahoveci, Manastiri, Kërçova etj., u bënë qendrat kryesore të
halvetizmit.


Sektet islamike në Shqipëri: Bektashizmi