Intelektualët shqiptarë dhe bektashizmi

Naim dhe Sami Flamuri
Shumë personalitete të shquara , shqiptarë dhe të huaj, kanë shkruar për bektashizmin dhe
bektashianët, për besimin dhe cilësitë, për vlerat dhe kontributet që ata i dhanë kulturës
shqiptare. Mjafton ta nisim me korifeun - Naim Frashërin e me Samiun, me Gjysh Ali
Gjirokastrën e me Abdy Frashërin, me Mit'hat Frashërin e me Evlia Çelebiun, me Natali
Claire e me Hafëz Ali Korçën, me Syrja Vlorën e me Edwin E. Jacques, me Faik Konicën e
me bijën e Gjirokastrës, Musine Kokalarin. Të gjitha këto mendje të larta panë dhe gjetën
tek bektashizmi shprehjen më të çlirët të dëshirës se atdheu është mbi të gjitha, se atdheu
është mëmë e atë, është gjuhë dhe vetvete, është besim dhe fe. Pikërisht këto shenja i pa
"toska i madh", Abdyl Frashëri, kur përpjekjet për mëvehtësi i mbështeti në "babatë
bektashjanë" të teqeve në të cilat u shtrua si mik e si bir përkrah të mirit baba Alush
Frashëri; këto gjurmë bektashiane ndoqi edhe Edwin Jacques kur theksoi se ishin krerët
bektashianë ata që dolën haptas në përdorimin e gjuhës shqipe. Ishte vetë Baba Ali
Tomorri që në kohën kur ndalohej e përndiqej gjuha shqipe dhe ata që e përhapnin atë
pohoi se qe në praktikën bektashiane ta shkruanin letërsinë e tyre fetare, poezitë dhe
himnet në gjuhën e popullit. Shumë nga dervishët dhe baballarët e teqeve udhëtuan nga
fshati në fshat, nga jugu në veri duke shpërndarë libra për rilindjen e Shqipërisë .Jo më kot
poeti i madh, shpirti i kombit, Naimi "iu qas, kesaj feje me gjithë zemër; shkruajti libra e
vjersha, që baballarët t'i kanë në nder të madh, e meritoi të quhet si një ndër themeluesit e
kësaj feje në Shqipëri. Me atë mënyrë, gjithë bektashizmin e solli e e mbajti, në qark të
kombësisë, të dashur," dhe shkroi për këtë qëllim edhe disa nga faqet e tij më të shkëlqyera
në Fletoren e Bektashinjvet në Qerbelanë dhe Mësimet.Në frymën dhe nën fytyrën e
bektashizmës lindën poetë,e gojëtarë të rrallë, sofra bektashianë, e çlirë, e hapur dhe
nderuese ndaj besimeve të tjera të botës fali shpirtëra të ndërtuar mirë, zemra të gatuara
me mirësi e mbrothtësi. "Pra në një koncert si Bektashizmi, ku dalin heronj dhe bienë
dëshmorë njërëz me ide të nalta, poeti i ynë gjente lulishten ku do të çfrente më vonë si
Bilbili i Majit. Gjithë sa ia ndjente shpirti dhe ia pëlqente syri, Naim Frashëri e gjeti të
begatëshme në këtë lulishte. I frymëzuar nga"Hadika"ja shkruajti "Qerbela"- në; i mbushur
me dëshirë dhe dashuri nga poemat e Nesimiut, Tyrabi-Aliut dhe Nijazi me shokë, ndezi ato
drita të bukura të librës tij "Lulet e Verës"; duke marrë shëmbëlla nga Kajgusëzi dhe Viraniu
me shokë, bëri "Fletore e Bektashinjvet", Thelbin e Kuranit, 'Fjalët fluturake' dhe vjershat e
ndryshme," shkruan Gjysh Ali Gjirokastra. Lista e atyre që janë shprehur kësisoj është tepër
e gjatë, por do të ndalesha e do të veçoja për t'i shtjelluar pak më gjatë disa prej shkrimeve
të Faik Konicës dhe të Musine Kokalarit në lidhje me bektashizmin. Jo vetëm një herë dhe
jo shkarazi, mjeshtëri i madh Konica i është kthyer e ka rimarrë në shkrimet e tij temën e
bektashizmit si doktrinë dhe të bektashianëve si shfaqje e besimit. Mund të përmendim të
paktën tre artikuj mes së cilëve njëri është i drejtpërdrejt dhe enkas për bektashizmin dhe
dy të tjerët e trajtojnë këtë temë të ngërthyer brenda temave të tjera, gjithësesi të pa
shkëputura nga objekti i referimit tonë. Shkrimi i parë i takon vitit 1897 dhe titullohet
"Shënim mbi metafizikën e bektashinjve". Ky tekst i trajtuar në formë të lirë eseje është
shkruar në frëngjisht dhe është botuar për herë të parë në Bruksel, tek Albania, vj .1, nr.8.
Është interesante të vërehet se ky shkrim i Faik Konicës mbi bektashizmin, është shkruar
vetëm një vit pasi Naim Frashëri kishte botuar "Fletorja e Bektashinjët" me po të njejtën
vetëdije si Buzuku, sepse në gjuhën tonë nuk kishte ende diçka të shkruarpër bektashizmin.
Nuk ka gjasa që Konica të ketë pasur dijeni për botimin e "Fletores..." së Naimit, pasi në
esenë e vet Konica përmend vetëm vëllimin poetik "Lulet e verës"së 1890, mbi të cilin ai
bën dhe komentet mbi bektashizmin. Të tërheq vëmendjen dhe të bën të theksosh faktin se
si këto dy mendje të larta, thuajse në të njejtën kohë mendojnë gati të njejtën gjë, por me
një ndryshim, në kahje dhe në destinacion. Naimi u përpoq t'u jepte shqiptarëve
bektashianë librin e tyre të shenjtë, libër në të cilin atdheu dhe besimi ecin njësoj. Ai donte
t'u dhuronte bashkëatdhetarëve të vet librin e ritualeve, lutësoren, uratën dhe shërbesat,
librin e të lejuarave dhe të të penguarave, duke u përcaktuar atyre një famijle më të madhe
ku klerikët janë të afërm, baballarë e gjyshë. "Fletorja e bektashinjët" ishte libër si të gjithë
librat e shenjtëruar: mistikë e besim, poezi dhe mësime. Këtë u dha Naim Frashëri
shqiptarëve më 1896. Në të njejtën kohë që Naimi punonte "së brendshmi" me shqiptarë,
mendja e ndriçuar e Konicës mendonte tjetër gjë: ai u përpoq që këtë besim, tashmë i
ngulitur ndër bashkëatdhetarët e tij, këtë vlerë shiprtërore ta njihte edhe bota. Ndaj dhe
Konica, ky mjeshtër i pashoq i shqipes., e shkroi esenë e tij në frëngjisht dhe është mbase i
pari që bëri përpjekjen që këtë besim të shqiptarëve ta paraqesë në dritë për ta bërëtë
njohur. Këtu nuk është rasti të analizojmë me hollësi tendencat e Konicës në këtë ese
katër-pesë faqëshe, por të vlerësojmë përpjekjen e tij për të lënë në katrtë diçka të shkruar
edhe për teologjinë bektashinjve." Shënim mbi metafizikën e bektashinjve" është një skicim i
shpejtë dhe tipik i disa prej veçantive të besimit bektashian. Në të, ndonëse përciptasi,
jepen të dhëna mbi transmigrimin (përbartjen e shpirtrave) tek i cili bektashianët besojnë,
mbi panteizmin, ritualin bektashian, festat e shenjta, dëshmorët dhe shenjtorët e këtij
besimi. Por nga një këndvështrim tjetër në "Shënim mbi metafizikën e bektashinjve" ne
gjejmë për herë të parë përkthimin në frengjisht të disa prej vargjeve të Naim Frashërit të
vëllimit poetik "Lulet e verës". Artikulli tjetër ku Faik Konica flet për bektashizmin është është
një portret që ai i bën Naim Frashërit në rreth dy faqe. Artikulli titullohet "Naim H. Frashëri"
dhe është shkruar më 1901, një vit pas vdekjes së poetit. Në këtë artikull Konica veçon dy
bigëzime të figurës së Namit: nga njëra anë si mësues - vjershëtor që do të kishte mundur e
dëshirontë të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura dhe nga ana tjetër
njeh se Naim bej Frashëri pati edhe një tjetër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë
kombësia jonë nga bektashizmi. Në këtë pasazh si dhe ato në vazhdim, Konica ngre lart
vlerën dhe rolin e këtij besimi ndër shqiptarë dhe kontributin e Naimit si një nga themeluesit
e bektashizmit në Shqipëri. Punimi i tretë, më i zgjeruari, më i ploti dhe më i rëndësishmi i
Konicës mbi këtë temë është "Parashkresë mbi lëvizjen kombëtare shqiptare". Edhe ky
punim i Faik Konicës është shkruar në gjuhën frënge dhe është i ndarë në pesë pjesë,
sipas fazave historike që ndoqi kjo lëvizje dhe që merr përsipër të shtjellojë autori. Konica
bën një paradë të ngjarjeve dhe fytyrave më të shquara të kohës që nga viti 1877 deri më
1899, sidomos në Shqipërinë e Jugut, në ngulimet shqiptare në botë dhe në kërkesat e tyre
për t'u organizuar në shoqëri dhe për t'u shprehur në gazeta, revista e libra shqip. Dihet se
në këto ngjarje një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe klerikët bektashianë si dhe
besimtarë të grigjës së tyre. Kështu në këtë "Parashkresë..." gjen të bashkuar nën thirrjen e
atdheut bektashianë e të krishterë që nga Abdyl Frashëri, Kulloriti, Vretoja, Mit'hat Frashëri,
Ismail bej Vlora, Visar Dodani etj. Por pjesa më interesante e kësaj "Para-shkrese ..." është
pjesa e fundit, e ashtutitulluara "Tabelë alfabetike e patriotëve kryesorë dhe e atyre që
quhen të tillë".Është një befasi nga ato që jemi mësuar t'i presim dhe i kërkojmë e I gjejmë
përherë tek penda e Faik Konicës. Është zanafilla, embrioni i një fjalori të parë kategorish
njerëzore me persona të vërtetë, real dhe ku kriter I vetëm matës është atdhedashuria dhe
kontributi ndaj vendit tënd. Ndoshta një libër i këtillë është unik edhe gjetiu. Është si një
Who is Who i ditëve të shkuara. Në këtë pjesë të fundit të "Parashkresës..." jepen të dhëna
dhe skicime edhe për disa figura bektashi-ane të kohës ku Faik Konica skicon herë me vija
të trasha e me karbon e herë me laps të hollë e linja të kujdesshme.Gjejmë në këtë
fragment të dhëna mjaft interesante për Baba Ahmetin e Koshtenit për të cilin Konica thotë
se është murg bektashi dhe patriot i shkëlqyer duke dhënë njëherazi dhe një shënim
telegrafik mbi mënyrën e rrallë të veshjes së tij. Më pas vijohet me skicimin e shehut
bektashi të Tepelenës, Dautit, i cili ka ndjenja patriotike, siç thotë Konica. Në vazhdim gjen
të dhëna mbi karakterin dhe gjendjen e Mit'hat Frashërit dhe përmendjen mes dhuntive të
tjera edhe faktin se ky djalosh ka përkthyer në shqip jetën e Vilhem Telit. Po kështu, në
këtë tabelë alfabetike ka shënime e të dhëna të shkurtëra edhe për pjestarë të tjerë të
familjes bektashiane. Siç e theksuam që në fillim, krahas shumë e shumë figurave të tjera
që trajtuan në letra bektashizmin ishte edhe bija e Gjirokastrës. Musine Kokalari. Në temën
e mbrojtjes së diplomës së saj, Romë 1941 temë studimore mbi poetin kombëtar Naim
Frashëri, Musineja i kushton një vend të rëndësishëm dy problemeve:

1. problemit të doktrinës bektashiane,

2. çështjes së ndikimit të kësaj doktrine tek Naimi.

Kapitulli i I, pjesa II, e këtij punimi mban titullin "Storia e dottrina dei bectashi". Që në krye
autorja thekson faktin se e ndjen të nevojshme që për të paraqitur mendimin e Naim
Frashërin të bëjë një historik të shkurtër, në rreth 7 faqe të daktilografuara rreth
bektashizmit që frymëzoi shumë nga veprat e poetit.Këtë kapitull, Musine Kokalari e trajton
sa në rrafshin e përgjithshëm, -atë të historisë së bektashizmit botëror, - aq edhe në
përfaqësimin e tij në Shqipëri.Padyshim që, për efektin e kohës kur u shkrua ky punim, - që
për fat të keq nuk është përkthyer dhe nuk është botuar ende në shqip, - pengesat që
rendit autorja për sistemimin e lëndës dhe mospasjes së një historie të plotë, veç disa
teksteve të shkurtër e fragmentarë, tashmë janë kapërcyer.

Kështu, po të kapërcejmë pengesën që kjo vepër e shkruar herët, por e lexuar vonë, 60 vjet
pas hartimit të saj, do të gjenim në këtë punim mjaft të dhëna të vyera. Musine Kokalari bën
një panoramim dhe sistemim të drejtë të njohurive duke na dhënë herë - herë edhe të
dhëna interesante mbi figura të shquara të besimit bektashian, që nga Haxhi Bektashi,
Baba Ballëmi, Ali Pasha Tepelena, baba Shemimi, Baba Nasibi, baba Alushin, etj si dhe të
ndodhive madhore që e kanë shoqëruar këtë besim që kulmon me Qerbelanë. Autorja na
bën të ditur të dhëna bigrafike rreth Haxhi Bektashit dhe pelegrinazheve të tij që nga
Qerbelaja ku vizitoi varrin e Huseinit e deri në Jeruzalem ku vizitoi edhe varrin e Jezu
Krishtit. Gjithashtu në këtë punim gjejmë edhe shënime mbi misionin e dishepullit më të
zgjedhur të bektashizmit, Sari Salltëkut në Ballkan ku ai përhapi këtë besim të ri dhe ngriti
teqetë e para në Budapest, Bosnjë, Shkup,Ohër, Janinë, Edené dhe Krujë, ku, siç shkruan
Musineja, " edhe sot besohet se është varrosur ky shenjt."Gjithashu në këtë punim gjejmë
të dhëna edhe për përkatësinë bektashiane të besimit të Skënderbeut si dhe disa nga
vlerat e çmuara të këtij besimi që nga misticizma, toleranca, mirësia e gjer tek të drejtat dhe
respekti ndaj gruas. Mes këtyre rreshtave gjejmë edhe një herë rastin të konfirmojmë të
dhënën e Konicës rreth mbështejes që bektashianët i bënë Abdyl Frashërit në përpjekjeve
të tij për ta bërë Shqipërinë. "Më 1877, pas traktatit të Sh. Stefanit...vëllai i madh i Naimit,
Abdyli, thirri në Frashër krerët ë bektashizmit shqiptar për të mbrojtur idenë kombëtre",
shkruan autorja. Në fund, Musine Kokalari e mbyll këtë historik të shkurtër duke veshur
doktrinën bektashiane me vargjet dhe prozën e Naimit rreth dritës, vallazërisë, mirësisë,
mbrothtësisë, dashurisë njerëzore, - pika mjaft të rëndësishme këto të themelit të besimit
bektashian i cili dikur, sot dhe gjithmonë ka qenë dhe do jetë, po në ato pozita siç i pohon
Musine Kokalari në fund të punimit: "Për nga këndvështrimi social,bektashizmi mbron
barazinë mes burrit dhe gruas, kundër dogmave të vjetra të besimeve të tjera. Nga
këndvështrimi politik bektashizmi është shprehur për një nacionalizëm të zjarrtë që vë mbi
çdo gjë idenë sublime të atdheut."