Teqetë e Shqipërisë
Aspekte të historisë dhe të arkitekturës


SULEJMAN DASHI
Kultura islame paraqitet në Shqipëri me një llojshmëri temash dhe veprash të artit e të
arkitekturës. Shembujt më të lashtë datojnë nga fundi i shekullit të 14-të, më të rejat janë
krijime të ditëve tona. Arti ndërtimor i xhamive të traditës shqiptare është studiuar hollësisht.
Është përcaktuar periodizimi historik, tipologjia e stilet, ndërsa për arkitekturën e teqeve,
ende nuk kemi të botuar ndonjë studim të plotë dhe përgjithësues. Ndërkohë ka pasur
përpjekje për të hetuar dhe analizuar rrugën që ndoqi arti i ndërtimit të teqeve në vendin
tonë, nga autorë vendas dhe të huaj. Më kryesorët janë kreu "Ndërtimet e kultit mysliman"
në punimin e "Historia e arkitekturës shqiptare", dhe kumtesa "Aspekte të arkitekturës turke-
osmane në Shqipëri" e autorit hollandez Mackiel Kiel, e mbajtur në Budapest në Kongresin
e Pestë Ndërkombëtar të Artit Turk, në vitin 1978.

Studime të tjera paralele, që e shohin këtë trashëgimi historike e kulturore në një plan më të
gjerë, janë botimet mbi arkitekturën shqiptare islamike, ku janë përfshirë edhe kërkimet tona.

Në përgjithësi studimet parashtrojnë pikëpamje dhe mbrojnë teza të ndryshme mbi vlerat
ideo-artistike dhe zhvillimin politik e shoqëror të Shqipërisë në periudhën osmane, por edhe
në dy shekujt e fundit, që nga Rilindja Kombëtare dhe përgjatë qindvjeçarit të shtetit
shqiptar të pavarur.

Pikëpamje të ndryshme vërehen gjithashtu për procesin e përhapjes së fesë e të qytetërimit
islam ndër shqiptarët dhe të artit e arkitekturës që lidhet me të. Këtyre do t’u shtonim edhe
njohjen e përkatësisë, të disa mjeshtërve të mëdhenj shqiptarë, të cilët realizuan vepra
madhore në shumë vise të perandorisë, brenda dhe jashtë vendit të tyre.

Nuk do të ndalemi hollësisht në analizat kritike, por e kërkon vendi të citojmë, atë ç’ka lidhet
me arkitekturën dhe historinë e teqeve të vendit tonë, që është objekti i këtij shkrimi.

Në "Historinë e arkitekturës shqiptare" shkruhet se, me islamizimin e vendit, një rol të
rëndësishëm lozte përhapja e doktrinave të ndryshme mistike, nëpërmjet misionarëve të
ardhur nga jashtë, të cilët ndërtuan, së pari në qytete dhe më pas në fshatra, teqe dhe
faltore. Teqetë përbëheshin nga konakët e banimit. Ato që kanë arritur në ditët tona, janë
relativisht të reja për shkak të materialit të përdorur që nuk i ka qëndruar kohës. Ndër to
vlen të përmendet Teqja e Halvetive në qytetin e Beratit e ndërtuar më...

Një vizion më të gjerë e të thelluar paraqet punimi i autorit holandez të sipërpëmendur, i
mbështetur në një bibliografi të pasur dhe në vrojtimet e bëra në vend e sidomos në
Kosovë. Ai me të drejtë pohon se produkti i artit islam si xhami, teqe, medrese, por edhe
kishat e manastiret edhe banesat të cilat gjenden në gjithë pjesët e Ballkanit të banuara
historikisht nga shqiptarët gjatë rrjedhës së historisë së tij të gjatë, brenda dhe jashtë
kufijve artificialë, me gjithë ndikimet që vërehen, janë në këtë drejtim, produkt i një arti
kopmbëtar të vërtetë. Në veçanti për teqetë autori, pasi vë në dukje përhapjen e gjerë të
fesë islame në popullsinë shqiptare në shekujt 17-18, (së pari nga kushtet social-
ekonomike), pohon pastaj edhe rolin e urdhrave mistike në këtë proces. Ai numëron
Tarikatin
Rufai dhe degëzimin Axhizije të Saadive në popullatën gege të Veriut dhe
bektashinjtë e degës Hajati të halvetive në popullatën toske të Jugut. Më tej ndryshimit të
përkatësisë fetare të shqiptarëve - dukuri tepër e veçantë për popujt e tjerë të Ballkanit -
autori i atribuon fushatën e madhe të ndërtimeve islame që mori hov në këta dy shekuj.
Mjeshtërve shqiptarë lokalë u njeh pa përjashtim autorësinë, duke theksuar meritën që u
takonte ndërkaq qytetarëve, dinjitarëve dhe feudalëve vendas. Ndër ta ai përmend
Bushatllinjtë me rezidencë në Shkodër, Tepelenlijtë në Janinë, Toptanët dhe pasardhësit e
Abdurrahman Pashës në Shqipëri të Mesme, në Tiranë e në Peqin, Vrijonët në Berat dhe
Rotullat në Prizren.

Le të shqiptojmë tani pikëpamjen tonë për historinë dhe artin e ndërtimit të teqeve në
Shqipëri. Sipas nesh ajo ndahet në tri periudha:

1- Periudha e hershme, shek. XIV-XVI, që përkufizohen në intervalin kohor të mbretërimit të
Muratit të parë (1360-1389) deri te Selimi i parë (1512-1520).
2- Periudha e dytë. shek. XVII-XIX, që përfshihen në intervalin kohor nga mbretërimi i
Sulejmanit II (1520-1566) deri te Mahmuti II. (1808-1839).
3- Periudha e tretë, shek. XIX-XX, që përfshin periudhën e Rilindjes Kombëtare deri më
1920 dhe vitet e shtetit shqiptar të pavarur.


Periudha e parë

Historia e teqeve ka nisur në Shqipëri shumë herët, fillimisht në Krujë në malin Sarisalltik
dhe në Berat në malin Tomor. Ngritja e teqeve këtu lidhet me misionarët bektashinj që zunë
vend në këto vise gjatë udhëtimeve të tyre misionare shumë dekada para se të dukeshin
ushtritë osmane në këto vise.

Burimet historike tregojnë se Sarisalltiku ishte dërguar në Shqipëri me porosi të vetë
Haxhi
Bektash Veliut. Në shpellën e kreshtës së Malit të Krujës ai kish çelur një teqe. Faltoren e
ka përshkuar etnografi ynë Rok Zojzi, i cili e kishte vizituar në vitet 40. Ajo lidhet me një
legjendë. Është fjala për ritin e flijimit me substrat pagan të mitologjisë së vjetër ilire, të
ndërthurur me princa e shenjtorë kristianë dhe që mbyllet me mbishtresën islame. Legjenda
ia dedikon dervishit të shenjtë heqjen dorë nga flijimi i virgjëreshave për kurbanin ritual
vjetor ndaj perëndisë. Më pas legjenda tregonte se kur Sarisalltiku ishte larguar, në rrugën
e tij të kthimit kishte ndalur në Fushë-Krujë, në Shijak, në Durrës, dhe, sipas traditës, atje
ku kishte ndalur çapin deri në Qerfoz, ishin ngritur me kohë teqetë.

Teqeja e Sarisalltikut përbëhej nga tri ndërtesa të thjeshta të lidhura me njëra-tjetrën, që
dalloheshin për nga funksioni. Njëra ishte e rezervuar për miq të veçantë (duket se aty ishte
edhe mejdani), njëra shërbente për banim të dervishëve punëtorë e zejtarë dhe tjetra
shërbente si bujtinë për udhëtarë të rastit. Në një shkëmb pranë teqesë rridhte një burim i
pashtershëm uji. Në të djathtë një palë shkallë të gurta të drejtonin në shpellën që në t’
pame, - siç shkruan Zojzi, - t’ep me kuptue se nji gja mistike pshtillet rreth saj" dhe ku ishin
varret e dervishëve. Këtë pamje të teqesë e ka soditur edhe studiuesja angleze Hezllëk5
(Hasluck e cila ka lexuar datën 1190H (1776-77). Përmbajtjen e mbishkrimit që lidhej me të
as ne nuk e njohim. Por dimë që një përkujdesje restauruese ishte kryer në çezmën e
shkëmbit në vitin 1195 të hixhrit (1795-96) nga Bajrami prej fshatit (?) siç thuhet në
mbishkrimin që Vexhi Buharaja ka lexuar gjatë vizitës së tij në shpellën e Teqesë.6

Mendimi ynë është që teqeja ishte ndërtuar që në gjysmën e parë të shek. XIV dhe kishte
vazhduar pa ndërprerje misionin e saj dhe se jeta islame kishte nisur e vazhduar pa
ndërprerje në Krujë dhe kishte mbledhur rreth vetes shumë adhurues e besimtarë, çka
mund të pohoet edhe nga burime të tjera historike, si dhe nga dëshmi materiale që ruhen
deri sot. Prej këtyre janë 9 çezma pranë portës së hyrjes në Kala të Krujës e ndërtuar nga
Veziri i madh Gazi Evrenozi në vitin 815 H. që i takon vitit 1412 (data mund të lexohet edhe
850 H=1446-47). Të një kohe me çezmën e Gazi Evrenozit janë edhe ujësjellësi dhe
hamami në kala që furnizoheshin me ujë nga i njëjti tubacion. Të tjera dëshmi janë një
dokument venedikas i vitit 1395, sipas të cilit sundimtarët e Krujës Helena Topia dhe Marko
Barbadigo kishin sjellë në Kala një garnizon osman, por megjithatë më tepër flasin regjistrat
mufasalë, më të vjetrit që zotërojmë sot. Aty përmbahen shënime për banorët vendas të
Krujës, të cilët kishin në duart e tyre dekrete e temesuqe për të mos paguar taksa, sepse
ishin çliruar nga detyrimet që nga koha e Sulltan Muratit I, të lëshuara nga vezirët Jakut
Pasha dhe Hoxha Firuz Pasha si dhe të tjera të firmosura nga bejlerbeu i Rumelisë në
Kohën e mbretërimit të Bajazitit të parë (1389-1402).

Ashtu si në Krujë, dukuri të jetës islame hasen edhe në Shqipërinë Jugore e Juglindore, ku
ishte vendosur regjimi i timareve po nga kjo kohë. Në këto treva njihen xhamia e vjetër në
Përmet ndërtuar ndërmjet viteve 1402-1421, xhamia në Kardhiq (rreth 1400) dhe një xhami
në Vlorë e ndërtuar në periudhën e parë të mbretërimit të Muratit II (1421). Bashkëkohëse
me këto xhami ishin edhe Teqeja në Malin e Melesinit, fillimisht
bektashiane e më pas
përdorur si rezidencë verore e shehlerëve
Halveti. Në gjysmën e dytë të shek XV
dëshmohen edhe teqe të tjera si Teqeja e Sinan Pashës në Elbasan, e cila sipas një
mylknameje perandorake të vitit 1012 H. (1602-3) bëhej zotëruese e të ardhurave të një
fshati pranë8. Një tjetër teqe bektashiane ishte ngritur së paku para vitit 1422, kur një klerik
i ardhur nga Ysqydari qe varrosur në një tyrbe të teqesë. Teksti i mbishkrimit është: Prijësi i
bektashinjve Asim Babai, nip i Hashimit, kishte ardhur nga Ysqydari e kishte zënë vend në
Gjirokastër. Atje kishte vdekur e ishte varrosur në vitin 822 të Hexhires (1419-1429)9.

Një tjetër Teqe e rëndësishme dhe pothuaj aq e vjetër sa ajo e malit të Krujës ishte teqeja
në Tomor, kushtuar Abaz Aliut, për të cilën nuk i kemi përfunduar studimet. Të tjera ishin
teqeja e Kuçit pranë Bilishtit e themeluar nga Kasëm Babai, mistik i shek XV, ku ndodhet
edhe tyrbja me varrin e tij të vërtetë, sepse kenotafë me emrin e tij gjendeshin edhe në
Kostur e në Elbasan në teqetë e themeluara prej tij. Një teqe tjetër
bektashiane gjendej në
Konicë10 dhe mund të thuhet se
bektashizmi deri në fund të shekullit XV kishte arritur një
organizim të përsosur duke pasur në shkallë perandorie 6 qendra kryesore. Qendra e
Dimotekës në Bullgari drejtonte mbarëvajtjen e teqeve për vendet ballkanike, përfshirë
Shqipërinë. E njohur si teqeja e Seid Ali Sulltanit ajo pranohet edhe si djepi i kulturës
bektashiane, ku çdo vit përgatiteshin rreth 400 dervishë. Andej kanë dalë edhe shumë
filozofë, poetë e shkrimtarë ndër të cilët mjaft shqiptarë që çelën në vazhdim apo drejtuan
teqetë në vendlindje.

Krahas teqeve
bektashiane në gjysmën e dytë të shekullit XV patën përhapje edhe teqetë e
sektit
Halveti. Nuk e dimë se kur është ndërtuar teqeja halvetiane në Shqipëri dhe as dimë
që në këto vite të ishte ndërtuar ndonjë faltore e tarikatit
Mevlevi, përkrahës i të cilit ishte
vetë Sulltan Murati i dytë. (Murati kishte qenë nxënës i sheikut Buhari).

Edhe për periudhën e Mehmetit dimë pak dhe duket se në këtë interval të pasur me luftëra
çlirimtare, iu kushtua më tepër kujdes ndërtimit të xhamive, kryesisht nëpër kështjellat e
zotëruara nga osmanët. Këtu do të vinim në dukje politikën e posaçme që ndoqi porta e
lartë me qytetin e Beratit. Vetë sulltan Mehmeti II për respekt të nënës Sit Hatun dhe gruas
Gjylbehar Hatun të lindura në këto vise të Shqipërisë e pajisi këtë qytet me një dekret
perandorak të titulluar Hatti-Eman, me të cilin u njihte përgjithmonë banorëve lirinë e
zakoneve, të riteve dhe privilegje të tjera të veçanta, duke i përjashtuar nga taksat për
mallrat e importit dhe për shpenzimet në vepra filantropike. Të vetmin detyrim ai u caktonte
atyre, mbrojtjen e kalasë dhe të qytetit të Vlorës, prej nga sulltani përgatitej të hidhej në
Itali13.

Ndryshe nga Mehmeti, biri i tij Bajeziti II i njohur edhe si Bajezit Veliu, kur hipi në fron, e
ndryshoi mjaft politikën e Portës në Shqipëri.

Në përgjithësi Rumelia njohu një periudhë paqeje, që u reflektua dukshëm në arkitekturën
dhe urbanistikën e qyteteve tona. Krahas xhamive, të cilat u ndërtuan nga vezirët dhe
dinjitarët e tjerë shqiptarë që përbënin një rreth me peshë në shtetin dhe komandën e
ushtrisë osmane të kohës, një numër i madh teqesh ndërtohen nëpër qytetet, tashmë jashtë
kështjellave, duke u bërë bërthama të varosheve dhe lagjeve ndryshme.

Një teqe e vjetër e kësaj periudhe ishte ajo e ngritur nga Iliaz Bej Mirahori në qytetin e
Korçës së bashku me xhaminë, imaretin, hamamin, në zonën historike të qytetit të sotëm, ku
duket se aty, hodhi shtat më pas kjo qendër e re urbane. Të tjera teqe
halvetiane kanë
pranë tyre të gjitha xhamitë e dekadës së fundit të shek XV të emërtuara mbretërore, si ajo
në Përmet, në Elbasan, në Shkodër dhe ato në Shkup, Tetovë e Berat.

Fundi i shek. XV, përbën një çast historik, ku mendojmë të ndalemi, sepse, së pari, këtu
përfundon periudha e hershme e ndërtimeve islame në vendin tonë, por edhe sepse në
këtë kohë në krejt perandorinë kishin nisur luftërat çlirimtare dhe rebelimet ndaj autoritetit të
Portës së Lartë (fillimisht në Rumeli me Huniadin e Skënderbeun e pastaj në Azi me Uzun
Hasanin dhe Shah Ismailin).

Shah Ismaili, një pasardhës i Aliut, shpalli në vitin 1502 shihizmin religjion zyrtar të Persisë.
Konflikti ushtarak me dinastinë osmane kishte nisur, por Bajaziti nuk i dha betejë. Shumë
historianë mendojnë se ky konflikt nuk ishte thjesht një çështje ushtarake por një dukuri
tepër komplekse me implikime religjioze,që e detyroi Bajazitin II të abdikojë në favor të
Selimit, djalit të tij, që gëzonte në atë kohë përkrahjen e jeniçerëve dhe që ishte pasues i
tarikatit
bektashi.

Përplasja e Ulemasë me të ashtuquajturën herezi tashmë nuk ishte një dukuri e veçuar që
kishte ndodhur për herë të parë në vitin 921 kur ishte ekzekutuar për herezi e blasfemi një
njeri i quajtur Mensur el Hallaxh. Që nga ajo kohë lëvizjet mistike kishin ndjekur dy rrugë atë
"ortodokse" dhe pranë sunive (shkolla e Bagdadit) dhe ato ekstreme (shkolla e Horasanit),
por që tani merrnin karakter të theksuar nacional.


Periudha e dytë - shek. XVI-XVIII

Përgjatë këtyre tre shekujve Perandoria Osmane shënon kulmin dhe rënien e saj. Në
fushën e arkitekturës formohet arti klasik osman me kryeveprat e Sinanit në arkitekturën
monumentale të xhamisë dhe krijimin e shkollës së centralizuar me qendër në Stamboll. Në
artin e pikturës shquhen mjeshtrat persianë, turq dhe shqiptarë, ndërsa në arkitekturë
shqiptarët zënë një vend nderi duke zëvendësuar njëri-tjetrin në detyrën e lartë të
kryearkitektit. Prej tyre Sasefqarr Mehmeti nga Elbasani dhe Kasem Aliu nga Grëmshi i
Tomoricës, përveçse në Stamboll lanë trashëgim vepra të bukura në vendlindjen e tyre në
Shqipëri, ku do të përmendim një pasazh të vakëfnamesë së Kasëmit ku thuhet:... Nga
pronat e mia të mirëfillta po lë vakëf në fshatin Grëmsh që është vendlindja ime, në nahijen
e Tomoricës së Kazasë së Beratit, xhaminë, imaretin dhe banjën publike, të cilat i kam
ndërtuar vetë. Një xhami për fshatin e lindjes lë trashëgim edhe veziri i madh nga Roshniku
i Beratit dhe mik i ngushtë i Mrk. Kasemit, Muhamet Qypryli.

Kriza e religjionit në fillim të shekullit XVI ndërmjet portës dhe vendeve islame të
perandorisë në anën tjetër të Bosforit, thuajse nuk u ndie në Shqipëri ku teqetë vijuan të
ngrihen jo vetëm ato të urdhrave
bektashi e Halveti, por edhe ato Saadi Kadiri, Rufai, dhe
degëzime të tjera të
Saadive e të halvetive (prej tyre përmenden degëzimet sinani e axhizi,
por gjejmë gjurmë të
Gjylshenive në Gjirokastër dhe të Hajative në Këlcyrë). Për rastin e
parë kemi një gur varri në teqenë
bektashiane të Shtufit, ku del se, Fadil Hurufiu
(themelues i këtij urdhëri) kishte adhurues dy mirëbërësit që kishin ndërtuar varrin dhe
abdalli i Hurufiut që ishte varrosur aty.

Për sa i takon
Hajative, kemi disa të dhëna që citon studiuesi Hezllëk, i cili numëron si teqe
të këtij urdhëri (të themeluar nga Hasani i Basrës) një në Këlcyrë, që mbante datën 1211H.
-1796 një tjetër në Tepelenë, në Korçë, Bilisht, në Progër dhe në Ohër, të cilat ne nuk kemi
mundur t’i verifikojmë. Degëzimi
Sinani kishte ngritur qysh në vitin 1551 një teqe në Prizren
në lagjen e tabakëve; po ashtu në Prizren ishte dhe një degëzim i Saadive që kishte ngritur
teqe, themelues i së cilës ishte Sulejman Efendiu nga Shkodra i njohur me emrin Axhize
Baba ose në burimet osmane si Pir’i Sani. Vëmendje u kemi kushtuar edhe të dhënave që
jep në Sajahatnamenë e tij Evlija Çelebiu, pasi ai ka udhëtuar në këto anë dhe ka parë
periudhën e lulëzimit të arkitekturës shqiptare tradicionale. Krahas xhamive dhe ndërtesave
të tjera fetare e shoqërore ai përmend e përshkruan shumë teqe dhe i përcakton shqiptarët
në disa qytete si besnikë të doktrinave mistike që flisnin e këndonin shumë bukur persisht.
Teqetë më në zë shkruan ai, ishin teqeja e Uskurliut pranë xhamisë së plumbit në Berat
(1553), teqeja
bektashiane e Gazi Sinan Pashës në Elbasan, e tarikatit Halveti etj.; këtyre
do t’u shtonim edhe teqe të tjera që hodhën shtat ose u rindërtuan e u zmadhuan më pas, si
teqeja
Saadi e sheh Radës në Tiranë dhe ajo e Zërqanit që varej prej saj, teqeja kadri e
Horasanit dhe ajo Kadri e sheh Dyrrit në Tiranë, teqetë bektashiane në Tetovë, Fushë-
Krujë e Frashër të themeluara nga Bersem Ali Dedeja, Baba Shemimiu dhe Baba Nasibu,
teqeja halveti e pazarit në Tiranë dhe teqeja xhevleti e Ahmet Kurt Pashës në Berat. Nuk do
t’i përmendim të gjitha teqetë, të cilat i kemi renditur sipas datës dhe emrit të themeluesit në
një pasqyrë përmbledhëse, por do të japim karakteristikat e përgjithëshme të arkitekturës
së tyre për këto dy periudha historike.

Në planin religjioz teqetë e Shqipërisë u ndërtuan me kërkesat kanonike të secilit urdhër
mistik, duke pasur pa përjashtim sallën e faljeve të emërtuar "Mejdani", e cila në murin nga
kibla ka detyrimisht të spikatur niken e Mihrabit për çdo faltore islame. Sipas kërkesave
specifike, secili tarikat i veçantë, e organizon brendinë me praninë ose jo të mafilit dhe, për
rastin e teqesë halveti, ngjitur është edhe qelia apo mjedisi i vetmisë. Për mejdanin nuk ka
ndonjë rregull, ai bën pjesë si volum i veçantë ndaj ndërtesave të tjera ose zgjidhet një
dhomë e banesës kryesisht në katin e parë. Përbërës i teqesë është detyrimisht mekami
(në traditën tonë thirret edhe varri monumental i themeluesit, por edhe kube, tyrbe e
shoqëruar me nekropolin (varrezat e klerikëve dhe të besnikëve të teqesë e të familiarëve
të tyre). Shembulli më i vjetër, i vitit 1494, që ruhet pjesërisht, është konaku i banimit të
dervishëve të teqesë halveti të Sheh Hasanit në Berat dhe disa tyrbe nëpër teqetë që kohë
pas kohe ishin rindërtuar e zmadhuar dhe si të tilla me stilin e kohës i kemi grupuar në
periudhën e dytë. Thuhet se Teqeja Harabati e Tetovës kishte nisur jetën e saj sipas
modelit të Teqesë së Haxhi Bektashit por edhe këtu kompleksi ndërtimor i saj është i një
kohe më të vonë.

Periudha e dytë është vazhdim i së parës. Për arkitekturën e xhamive, ndiqet modeli i
klasikut osman në sistemin e kullijve ku ndodhen së bashku me medresenë banjat, imaretet
edhe teqetë.
Bektashinjtë ndërkohë i kanë funksionet e kullijve pa xhami pranë (përveç një
rasti në Velabisht) në ndonjë rast kemi edhe xhami të kthyera në teqe si ajo e
Rufaive
lagjen Murat Çelepie të Beratit apo dhe dy teqe të urdhrave të ndryshme
Rufai e Xhevleti
(teqeja e Sheh Qerimit pranë asaj të Ahmet Kurt Pashës gjithashtu në Berat). Në shekujt
XVII-XVIII kemi në përgjithësi një lulëzim të kulturës e të artit islam në Shqipëri, i kushtëzuar
kryesisht nga dy faktorë kryesorë socialë-ekonomikë dhe organizativë. Së pari, është
decentralizimi i zyrës perandorake të arkitekturës dhe krijimi në të gjitha qytetet i zyrave të
urbanistikës e të arkitekturës dhe i gildeve të mjeshtërive që projektojnë e zbatojnë vetë
projektet e shtëpive, xhamive, teqeve dhe të veprave të tjera me karakater publik. Faktor
tjetër është lëvizja kombëtare me bazë religjioni që diferencon në metropolin perandorak
ndjenjën e kombësisë, së pari tek arabët, që kishin në zotërim Ulemanë, te shqiptarët që
kishin në duar ushtrinë dhe vetë turqit që trashëgonin dinastinë. Veprat fetare në të gjitha
krahinat e qytetet e vendit lidhen me emra shqiptarësh të të gjitha sferave, ushtarake, të
artit e të kulturës dhe të klerit mysliman. Teqetë e ndryshme të Shqipërisë në këtë periudhë
bëjnë pjesë në fondin më të vyer të trashëgimit tonë arkitekturor dhe artistik, si teqeja
Harabati e themeluar nga Sersem Ali Dedeja në Tetovë dhe e kompletuar nga Koxha
Rexhep Pasha, teqeja xhelveti e Ahmet Kurt Pashës në Berat, teqeja e Sheh Dyrrit në
Tiranë, teqeja e shehelerëve
Saadi në Zerqan, teqeja e Dollmës në Krujë etj. Përveç
vlerave arkitekturore teqetë e kësaj periudhe janë të pasura me dekoracione në gur, dru
dhe në artin e pikturës murale dekorative të ngjashme me motivet e kostumet tona
popullore, por edhe me ekspresione të kompozicionit lindor që i bashkon ato me artin
islamik në përgjithësi në të cilin dhanë e morën mjeshtërit shqiptarë.

Shekulli XIX përbën periudhën e tretë të historisë së teqeve. Është koha e përpjekjes të
feudalëve shqiptarë për shkëputje nga Porta e Lartë. që u pasua nga lëvizja politike-
kulturore e Rilindjes Kombëtare, e cila çoi në formimin e shtetit shqiptar të pavarur, në
autoqefalinë e komuniteteve fetare, në veçanti në krijimin e kryegjyshatës botërore
bektashiane në Tiranë etj. Teqetë e reja që u ndërtuan dhe sidomos restaurimet pjesore e
tërësore që u kryen pas dëmtimeve nga luftrat ballkanike e më pas, i kemi ruajtur në një
punim tjetër që shpresojmë ta komunikojmë në të ardhmen.